Kyresore » 2012 » Dhjetor » 19 » Çani drejt Zvicrës, do 400 mijë euro rrogë
3:00 PM
Çani drejt Zvicrës, do 400 mijë euro rrogë
Edgar Çani ka shumë mundësi që të luajë për një nga klubet e njohura zvicerane, duke filluar që nga janari i vitit 2013. Media polake njofton se sulmuesi është joshur nga ideja se mund të luajë titullar në një klub të mirë perëndimor dhe ofertat financiare që kanë mbërritur nga helvetët kanë qenë tunduese. Edgar Çani nuk ka gjetur akord me asnjë prej klubeve polake që interesoheshin për shërbimet e tij. Leh Poznan dhe Legia e Varshavës kishin shprehur dëshirën për të marrë shërbimet e sulmuesit dhe, kur kishin gjetur akordin me Polonian, ka qenë sulmuesi ai që ka refuzuar. Sipas uebsajtit "warszawa.sport.pl”, Edgar Çani ka kërkuar një pagë vjetore prej 400 mijë eurosh dhe kjo i ka bërë klubet që të heqin dorë nga sulmuesi shqiptar. Aktualisht për të kanë mbërritur kërkesa vetëm nga klube zvicerane, por emrat e skuadrave nuk bëhen publike. Një opsion për sulmuesin shtatlartë është edhe rikthimi në Itali. Ndër skuadrat e Serisë A interesohet Katania, por ka pasur një interesim të madh edhe nga klube me emër të Serisë B. Çani nuk dëshiron që të luajë në Serinë B, duke qenë se tani është në fazën e ngjitjes së shkallëve në karrierë dhe kërkon që të luajë në nivele të larta. Përveç këtyre, edhe dy klube turke kanë shfaqur interesim për bomberin. Bëhet fjalë për Trabzonsporin dhe Eskisehirsporin, që militojnë në Superligë. Edgar Çani ka prishur marrëdhëniet me klubin polak të Polonias së Varshavës, pas përplasjes së vazhdueshme me stafin teknik dhe me presidentin. Presidenti i klubit ka vënë një çmim prej afro 2 milionë eurosh për kartonin e 23-vjeçarit shqiptar dhe kjo ka bërë që të stepen pjesa më e madhe e klubeve, përfshi edhe këto turke. Në këtë këndvështrim mbetet për t’u parë nëse Çani do mund të gjejë një akord me një nga klubet e kampionatit zviceran, pasi në të kundërt ai mund të mbetet në Poloni, por pa pasur mundësi që të luajë me ekipin e tij për shkak të problemeve të vazhdueshme me drejtuesit e klubit.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus