Kyresore » 2012 » Qershor » 2 » Stadiumi i finales së Botërorit 1958 i falet Kosovës
0:31 AM
Stadiumi i finales së Botërorit 1958 i falet Kosovës
Stadiumi ku legjenda e futbollit, Pele, u bë i njohur në arenën ndërkombëtare do t'i dhurohet Kosovës. Stadiumi "Rasunda", që gjendet në Solna të Suedisë, do t'i bëhet dhuratë Federatës së Futbollit të Kosovës nga Federata e Futbollit të Suedisë. Në të vërtetë stadiumi ku u zhvillua finalja e kampionatit botëror të vitit 1958 do të rrënohet në fund të këtij viti, ndërsa të gjitha pajisjet e tij që mund të çmontohen e të shfrytëzohen prapë do të vijnë në Kosovë. Kjo është bërë e ditur të enjten në një konferencë për shtyp të përzgjedhësit të Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, dhe drejtuesve të FFK-së. Stadiumi ku u luajt finalja e botërorit të vitit 1958 "Rasunda", ndërmjet Suedisë dhe Brazilit, do të rrënohet në periudhën 10 nëntor - 10 dhjetor të këtij viti. Atë finale e fitoi Brazili me rezultatin 5:2. Pele, atëbotë 17-vjeçar, në këtë botëror u bë i njohur në tërë botën. Në finale shënoi dy gola. Stadiumi i përfaqësueses së Suedisë dhe klubit AIK do të rrënohet për t'u zëvendësuar me stadiumin e ri, "Friends Arena - Svedbank", që është duke u ndërtuar po ashtu në Solna të Stockholmit. "Komplet stadiumi 'Rasunda" do t'i bëhet dhuratë Federatës së Futbollit të Kosovës. Vlera financiare e kësaj dhurate është shumë e madhe. Dhurata përmban 37 mijë ulëset e stadiumit, shumë cilësore, pastaj sistemi i ndriçimit me standarde të FIFA-s, sistemi i dëgjimit, rrethojat speciale të aluminit për siguri, katër porta lëvizëse, 30 metra tunel lëvizës, ulëset VIP, 12 kioska për shitje të biletave, salla e konferencave e tetë zhveshtore", ka thënë përzgjedhësi Bunjaki.

Sipas tij, vendimi për rrënim të stadiumit u mor që në vitin 2006. Ai thotë se dhurata është rrjedhojë e marrëdhënieve të mira që ka FFK-ja me Federatën e Futbollit të Suedisë. Sipas Bunjakit, transportin e pajisjeve për në Kosovë duhet ta bëjë FFK-ja.

Më 15 gusht në këtë stadium do të zhvillohet ndeshja miqësore në mes Suedisë e Brazilit, në të cilën prezent do të jetë edhe një delegacion i FFK-së. Ndërsa ndeshja e fundit në "Rasunda" do të zhvillohet më 6 nëntor mes AIK-ut e Malmos.

Nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se Federata ende nuk ka vendosur se në cilin stadium do t'i dërgojë pajisjet. Sipas tij, transportimi i pajisjeve nga Suedia nuk do të jetë problem.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus