Kyresore » 2012 » Prill » 9 » Berluskoni “kërcënon” Galianin
12:51 PM
Berluskoni “kërcënon” Galianin
Presidenti ka bërë një telefonatë të gjatë pas humbjes me Fiorentinën.

Pas humbjes me Fiorentinën dhe fitores së Juventusit kundër Palermos, Milani vihet në ndjekje të vendit të parë, ndërmjet një sërë problemesh dhe vështirësish. Zhgënjimi i kuqezinjve, që kundër vjollcëve humbën një rast të mirë për të mbajtur Juventusin në distancë, është aq i madh, saqë u lexohej në fytyrë teksa dilnin nga fusha. Madje, disa prej tyre nuk kishin as guximin për t’u paraqitur përpara mikrofonave të gazetarëve në përfundim të takimit. Zemërimi i futbollistëve milanistë është mjaft i madh, sepse për nga mënyra si shkoi ndeshja askush nuk e imagjinonte se do dilnin nga "San Siro” me 0 pikë. Tani në shtrofullën e djallit mbizotëron tensioni, dhe si të mos mjaftonte kjo, në dhomat e infermierisë shtohen futbollistë të dëmtuar nga ndeshja në ndeshje. Përveç lojtarëve, edhe mes krerëve të klubit ka tension të madh, çka e demonstron telefonata me tone të ashpra ndërmjet presidentit Silvio Berluskoni dhe Adriano Galianit menjëherë pas ndeshjes. Presidenti kuqezi është shprehur i mërzitur për fitoren e munguar të djajve të tij, por edhe për mënyrën se si e ka interpretuar skuadra pjesën e dytë të takimit kundër Fiorentinës. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, goli i barazimit dhe ai i fitores së skuadrës vjollcë ka ardhur nga këmbët e sulmuesit Stefan Jovetiç dhe brazilianit Amauri, futbollistë këta të cilët pëlqehen shumë nga presidenti Silvio Berluskoni. Por deri më tani, Adriano Galiani nuk ka arritur t’ia plotësojë dëshirën presidentit kuqezi, duke përfunduar edhe ai pas Alegrit në bankën e të akuzuarave. Pavarësisht debateve, tani Milanit i duhet të marrë 21 pikë në 7 ndeshje, si dhe të rikuperojë futbollistët e dëmtuar dhe të skualifikuar, me shpresën që Juventusi gjatë këtyre 7 sfidave të fundkampionatit të pësoj humbjen e parë për këtë sezon.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus