Kyresore » 2012 » Prill » 13 » De Biazi: Ju rrëfej Shqipërinë time!
4:00 PM
De Biazi: Ju rrëfej Shqipërinë time!
Trajneri i Kombëtares tregon aventurën kuqezi që nga firmosja e kontratës."Besoj te ëndrrat, me këtë skuadër do t’i bëj realitet”
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka rrëfyer muajt e parë të aventurës së tij në krye të kuqezinjve. Në një intervistë për "Albania Magazine”, italiani ka shprehur edhe dëshirën për arritjen e një kualifikimi me Shqipërinë.Xhani De Biazi, trajner i Kombëtares së Shqipërisë! E kishit menduar ndonjëherë këtë gjë?
Gjithmonë kam dëshiruar të kem një eksperiencë në drejtimin e një skuadre kombëtare (në karrierën time profesionale). E kam vlerësuar me shumë entuziazëm ofertën e ardhur nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe uroj që të gjithë së bashku të përmirësojmë atë që është arritur deri më tani në këtë drejtim.
Cilat ishin njohuritë tuaja për futbollin shqiptar kur ju mbërriti oferta?
Në Itali, nuk e kam ndjekur shumë futbollin shqiptar, megjithëse në vite të caktuara disa prej lojtarëve shqiptarë kanë luajtur në Serinë A. Mund t’ju përmend Canën, Ujkanin, Bogdanin dhe të tjerë futbollistë shqiptarë, të cilët luajnë në kategoritë inferiore. Por, në kontaktet e mia të para me Federatën Shqiptare të Futbollit, kam nisur një punë mjaft të madhe kërkuese dhe hulumtuese për të njohur dhe vlerësuar edhe futbollistë të tjerë.
Sa e vështirë është për një trajner klasik klubi, që të përshtatet me një sistem tjetër pune?
Puna si trajner klubi është shumë e ndryshme nga ajo e "komisarit teknik” të ekipit kombëtar. I pari punon dhe jeton përditë me lojtarët e tij, ndërsa i dyti ka shumë më pak mundësi për t’i pasur në dispozicion lojtarët e tij.
I keni ndjekur deri më tani rezultatet e skuadrës kombëtare dhe cila është përshtypja juaj?
Deri më sot, Kombëtarja shqiptare nuk ka arritur të realizojë objektivin e kualifikimit në grup. Kjo varet nga shumë faktorë, por nuk është një arsye për dekurajim. Mendoj se hap pas hapi mund të krijohet një skuadër e fortë, e cila mund të tentojë edhe arritjen e këtij objektivi të rëndësishëm.
A keni përcaktuar një program pune në drejtimin e Kombëtares?
Në janar menduam të nisim "zborin” e parë me një përzgjedhje të futbollistëve të kampionatit shqiptar. Dua të shoh talentet dhe njohuritë teknike të këtyre lojtarëve, dhe ashtu siç u shpreha në prezantimin tim të parë, ata që duan të bëhen pjesë e "projektit Brazil”, duhet të japin maksimumin e tyre.
Kanë mbetur ende gjashtë muaj deri në fillimin e eliminatoreve të Botërorit Brazil 2014. Si do ta shfrytëzoni këtë periudhë?
Gjatë këtyre muajve që na ndajnë nga objektivi kryesor, do të përpiqem të organizoj disa grumbullime për të punuar si në planin taktik, ashtu edhe në atë mendor. Gjithashtu, do të përpiqemi të krijojmë marrëdhëniet e duhura me trajnerët shqiptarë dhe të huaj, për të pasur informacionet e duhura për futbollistët që mund të jenë pjesë e ekipit.
A ka një filozofi loje "De Biazi”, e cila mund të bëhet pjesë e lojës së Kombëtares shqiptare?
Mendoj se ekuilibri mes reparteve të ndryshme të ekipit është njëri prej elementeve kryesore mbi të cilin duhet punuar. Gjithashtu, duhet përforcuar e gjithë puna e ekipit në përmirësimin e repartit të sulmit, përqendrimin ndaj goditjeve joaktive (goditjeve nga këndi apo ato të dënimit) dhe shfrytëzimit të mëtejshëm të karakteristikave të lojtarëve.
Të shumtë janë shqiptarët që ëndërrojnë një kualifikim në Botërorin 2014. Si e gjykoni realizimin e kësaj dëshire?
"Beso në forcën e ëndrrave të tua dhe ato do të realizohen!” Këtë motiv thashë kur mora Modenën në Serinë C dhe së bashku me një ekip të mrekullueshëm arritëm ta ngjisim ekipin në Kategorinë e Parë. Kjo ndodhi me të njëjtin ekip. Kur e dëshirojmë të gjithë, ëndrra e sotme mund të bëhet nesër realitet.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus