Kyresore » 2012 » Mars » 2 » Dy gola në 2 ndeshje, Salihi mrekullon SHBA
3:26 PM
Dy gola në 2 ndeshje, Salihi mrekullon SHBA
Shkodrani futet si zëvendësues e realizon në fitoren 3-1 të DC Junajtid.

Sulmuesi: Shënoj se më mbështesin dhe ndihem i vlerësuar.

Hamdi Salihi konfirmon formën e shkëlqyer që po kalon në futbollin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe pse ndodhet në këtë vend prej vetëm dy javësh. Sulmuesi i Kombëtares realizoi edhe golin e dytë me DC Junajtid, në fitoren 3-1 që skuadra e tij arriti përballë Çarlston Bateri. Me këtë fitore, DC Junajtid i mjaftuan vetëm dy ndeshje për të triumfuar në turneun "Carolina Challenge Cup”, ndërsa më sfidën e parë skuadra nga Uashingtoni mposhti Çikago Fajër, pikërisht me golin e Salihit. Në ndeshjen kundër Çarlston, "bomberi” u aktivizua si zëvendësues, por i mjaftuan vetëm 17 minuta në fushë për ta dërguar topin në rrjetë. Në një intervistë për uebsajtin e klubit të tij, shkodrani përcolli emocionet e golit duke nënvizuar edhe lojën e mirë të skuadrës së tij dhe mbështetjen e menjëhershme që ai ka marrë nga të gjithë kolegët dhe stafi drejtues i DC Junajtid. "Ishte një gol të cilin e kemi praktikuar thuajse në të gjitha seancat e fundit stërvitore. Jam i kënaqur që e realizuam edhe në ndeshje, pasi jo gjithnjë ato që bëjmë në stërvitje arrihen 100 për qind në fushën e lojës. Më erdhi realisht mirë që gjërat funksionuan ashtu sikundër i kemi programuar. Dihet se kur shkon në një skuadër të re të duhet gjithnjë pak kohë për t’u adaptuar me lojën dhe mënyrën e trajningut, por unë e them pa modesti se kam gjetur një mbështetje të jashtëzakonshme këtu. Të gjithë duan që të bëjnë më të mirën në fushë dhe ajo që shihet është edhe fryt i kolektivitetit që ka kjo skuadër. Dua të falënderoj edhe një herë të gjithë kolegët dhe drejtuesit që po më mbështesin pa rezerva dhe kjo gjë më motivon edhe më shumë”, ka pohuar shkodrani. Më tej, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka treguar edhe arsyet se përse është ambientuar kaq shpejt te DC Junajtid. Në vetëm 98 minuta lojë, në dy ndeshje (në takimin e parë luajti titullar, por u zëvendësua në minutën e 68-të, ndërsa në ndeshjen e dytë luajti si zëvendësues që nga minuta e 70-të), sulmuesi ka shënuar dy gola, çka ka bërë që gjithë vëmendja e mediave dhe tifozëve të fokusohet tek ai. "Shikoni, nuk janë thjesht gola të mi. Siç ju thashë, aksionet nisin që nga portieri dhe të gjithë lojtarët mundohen të bëjnë më të mirën. Unë jam sulmues dhe nuk bëj veçse detyrën time, për të cilën jam në këtë skuadër. Sigurisht kam kënaqësi kur arrij të shënoj, por në fund të fundit nuk kam bërë gjë tjetër veçse punën time si lojtar i kësaj skuadre. Unë mundohem të bëj më të mirën dhe jo vetëm në stërvitje, por edhe në ndeshje miqësore e zyrtare, ku golat janë edhe më të vështirë për t’u shënuar. Sakaq, kur nga pas ke edhe mbështetjen e skuadrës, gjithçka bëhet më e lehtë”, ka përfunduar Salihi.3 milione dollarë do të përfitojë Salihi nga kontrata 4-vjeçare me DC Junajtid.Në kontratë ai ka edhe klauzolën se mund të largohet pa penalitet nëse kërkohet nga një skuadër më e famshme.
Trajneri
Trajneri i DC Junajtid flet me superlativa për sulmuesin shqiptar, pas dy golave që ai shënoi në dy ndeshjet e para me këtë skuadër. "E patë kush është Salihi? Unë e dija mirë që ai ishte lojtari i duhur për ne. Është gjithnjë në vendin e duhur dhe momentin e duhur për të prekur topin drejt rrjetës. Jemi shumë të lumtur që ai është pjesë e skuadrës dhe e them me bindje se jemi me fat që zgjodhi të luajë për fanellën e DC Junajtid”, ka pohuar tekniku Ben Olsen.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus