Kyresore » 2012 » Prill » 13 » Federata e Xhudos së Kosovës anëtarësohet me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos
4:03 PM
Federata e Xhudos së Kosovës anëtarësohet me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos
Federata e Xhudos së Kosovës më 10 Prill 2012 është anëtarësuar me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos. Lajmin e ka dhënë sot Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi. Ai sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, dhe me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, me të cilët ka biseduar për hapat e mëtutjeshëm që duhen ndërmarrë në ndërkombëtarizim të sportit, e në veçanti në pjesëmarrjen e Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike "Londra 2012”. Federata e Xhudos e qon në katër numrin e federatave kosovare të anëtarësuar me të drejta të plota në federatat përkatëse ndërkombëtare. 
Në konferencën për shtyp, pas takimit, ministri Krasniqi vlerësoi se anëtarësimi i Federatës së Xhudos me të drejta të plota është një lajm shumë i rëndësishëm për Kosovën. Ai tha se ky hap shërben për angazhim edhe me të madh drejt ndërkombëtarizimit të sportit, e po ashtu ka paralajmëruar se në dy muajt e ardhshëm priten anëtarësime të federatave tjera.

"Fakti që kemi xhudon është shumë më domethënëse për faktin se ne me xhudistët kemi arritur sukseset më të mëdha botërore. Shembulli i Majlinda Kelmendit e dëshmon këtë. Dhe kur tash e tutje, Majlinda Kelmendi do të prezantohet me flamur të Kosovës, me himn, e barabartë me të gjitha xhudistet tjera është një moment jo vetëm që na emocionin por që na bën që të punojmë edhe më shumë për të krijuar mundësi të barabarta edhe për federatat dhe sportistet tjerë. Në rrugën tonë ky është një hap i rëndësishëm, dhe ne presim që në dy muajt e ardhshëm të kemi edhe formalisht federatën e pestë që të plotësojmë kriterin të rëndësishëm për aplikim të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”, ka thënë ministri Krasniqi, teksa ka falënderuar drejtuesit e Federatës së Xhudos dhe Komitetin Olimpik të Kosovës për angazhimin dhe koordinimin e vazhdueshëm që kanë treguar në gjithë këtë proces.

Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe falënderoi ministrin Krasniqi dhe kryetarin e KOK-ut, Hasani për punën që kanë bërë në arritjen e këtij qëllimi. Kuka shprehi falënderime edhe për kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Mauris Vizer për ndihmën e madhe që iu ka ofruar xhudistëve nga Kosova.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 2.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus