Kyresore » 2012 » Prill » 15 » FIFA qorton UEFA-n për Kosovën
3:48 PM
FIFA qorton UEFA-n për Kosovën
FIFA duket të jetë e brengosur me çështjen e Kosovës. Madje, sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, Jerome Valcke, ka kërkuar informata nga kolegët e tij të UEFA-s se pse këta të fundit kanë qëndrim aq të ngurtë dhe aq të prerë ndaj futbollit kosovar. Zyrtari i lartë i FIFA-s po ashtu ka kërkuar nga përfaqësuesit e futbollit në kontinentin e vjetër që ta gjejnë një zgjidhje për Kosovën.Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka nisur ta qortojë Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) për qëndrimin e ashpër dhe negativ që po e shfaq ndaj Kosovës.

Drejtuesit e futbollit ndërkombëtar e kanë autorizuar 2-3 herë shtëpinë e futbollit evropian që ta shqyrtojë rastin e Kosovës, por që kjo e fundit as që ka dashur të dëgjojë për një gjë të tillë.

Kërkesa e fundit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ishte që FIFA dhe UEFA ta lejojnë përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore, por kjo kërkesë është endur herë tek FIFA e herë tek UEFA, duke mbetur në fund vetëm një ide deri tash e parealizueshme.

Sekretari gjeneral i FIFA-s, Jerome Valcke, ka kërkuar informata nga kolegët e tij që e përfaqësojnë futbollin në kontinentin e vjetër rreth qëndrimit të prerë ndaj futbollit kosovar, i cili vazhdon të mbetet i izoluar për shumë vite.

"Edhe FIFA ka filluar të brengoset për rastin e Kosovën. Madje, sipas informatave që kemi, sekretari gjeneral i FIFA-s, Vackle, ka kërkuar shpjegim nga UEFA se pse e mban një qëndrim kaq të ngurtë karshi Kosovës. Ai po ashtu ua ka përkujtuar kolegëve nga UEFA që ta gjejnë një zgjidhje për Kosovën”, tha Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Ky i fundit, javë më parë e kishte kritikuar direkt presidentin e UEFA-s, Michel Platini, për mbajtjen ‘peng’ të futbollit kosovar. Ai e ka fajësuar direkt presidentin e UEFA-s, Michel Platini, për të cilin thotë se është fajtori kryesor që shtëpia e futbollit evropian e injoron vazhdimisht Kosovën. Ai ka kërkuar mbështetje më të madhe edhe nga institucionet e Kosovës.

"Ne nuk i kemi ende të qarta arsyet e vërteta të injorimit që po na bën Platini. Siç duket, për arsye personale po e dëmton ndihmën që e ka dhënë Franca për Kosovën. Nuk e dimë përse është aq këmbëngulës dhe pse e shtyp çdo iniciativë që e marrim. Do t’i përdorim të gjitha opsionet, duhet bërë presion edhe shtetit francez nga ambasadori ynë. Edhe Qeveria dhe Ministria duhet të bëjnë më shumë, sepse ne nuk kemi shumë fuqi. Platini është çelësi kryesor”, thoshte Salihu javë më parë.

FIFA dhe UEFA i kanë injoruar gjithnjë kërkesat e FFK-së, duke e hequr përgjegjësinë nga vetja dhe duke ia gjuajtur ‘topin’ njëra-tjetrës. Ndërsa, këto kërkesa më pas refuzoheshin ose shtyheshin për më vonë. Mirëpo, shenja e fundit e dhënë nga ana e Valcke i bën më optimistë drejtuesit e FFK-së që më në fund të fitojë drejtësia.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus