Kyresore » 2012 » Maj » 26 » Flamuri shqiptar valëvitet në Everest
3:08 PM
Flamuri shqiptar valëvitet në Everest
Në majën më të lartë të botës, në Everest, valëvitet për herë të parë edhe flamuri shqiptar. Ekipi prej gjashtë alpinistësh shqiptarë të shoqatës "Dajti Alpino-Turistik", ka mundur të ngjitet dje në orën 7 të mëngjesit, një pas mesnate sipas orës tonë lokale, në pikën më të lartë të malit të Everestit dhe në botë, 8848 metra mbi nivelin e detit.Ekipi shqiptar, është nisur nga Tirana në datën 2 prill, ndërsa përbëhet nga këta alpinistë: Mateo Begeja (19 vjeç), Erli Rudho (22 vjeç), Gerti Pishtari (25 vjeç), Fation Plaku (37 vjeç), Gjergj Bojaxhi (38 vjeç) dhe Xhim Begeja (47 vjeç).Një kohë e gjatë aklimatizimi dhe ngjitje-zbritjesh të vazhdueshme në lartësitë 5200-7500 metra të malit, i ka paraprirë pushtimit të majës së Everestit. Kjo është strategji standarde e ngjitjes së këtij mali, për shkak të kushteve ekstreme atmosferike: me erëra të fuqishme dhe temperatura deri në minus 40 gradë celsius, e sidomos rrallim të oksigjenit për shkak të lartësisë së madhe ngase në tetëmijë metra lartësi ajri në atmosferë përmban një të tretën e oksigjenit që gjendet në nivelin e detit.
Përcaktimi i ekipit të shoqatës "Dajti Alpino-Turistik” u vendos pas një kohe të gjatë stërvitore, ndërkohë që alpinistët iu nënshtruan testimeve dhe garave të ndryshme fizike.
Alpinistët janë duke zbritur lartësi dhe pritet të mbërrijnë në Shqipëri në javën e parë të qershorit. Sipas kompanisë nepaleze që shoqëronte ekipin, ky është një nga rastet e rralla kur ngjitja realizohet 100 për qind, pra nga të gjithë anëtarët e ekipit.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus