Kyresore » 2012 » Nëntor » 30 » “Futbolli shqiptar, më i korruptuari në Europë”
2:51 PM
“Futbolli shqiptar, më i korruptuari në Europë”
Analiza e kompanisë nxjerr topkëmbën tonë si më të manipuluarën."Sportradar”: Shqipëria, me 97 ndeshje të manipuluara.
Shqipëria është "kampione” për trukimin e ndeshjeve. Lajmi vjen nga një analizë e "Sportradar”, e cila e ka vendosur futbollin tonë në krye të listës për sa i përket kontinentit europian. Askush nuk do donte që një gjë e tillë të thuhej për futbollin tonë, por faktet janë kokëforta dhe për më tepër kur vijnë nga një kompani lider në botë për analizat dhe hulumtimet në shitjen e ndeshjeve, sikundër është "Sportradar”. Kompania ka bërë analiza të hollësishme të një numri të madh të ndeshjeve të kampionatit shqiptar, kryesisht në dy vitet e fundit, duke arritur në një konkluzion të frikshëm: jemi të parët për korrupsion dhe manipulim të rezultateve të ndeshjeve në futboll. Brenda një periudhe prej dy vitesh e gjysmë, në Shqipëri dyshohet se janë manipuluar 97 ndeshje futbolli, përfshi kampionat dhe kupë. Kjo e vendos vendin tonë të partin në listën e zezë të shteteve me më shumë ndeshje të dyshuara si të trukuara. Shqipëria ka lënë pas edhe vende si Moldavia, Bullgaria, Maqedonia dhe Estonia. Që nga qershori i vitit 2009 dhe deri tani, kjo kompani, "Sportradar”, i ka cilësuar si të dyshimta 97 ndeshje të luajtura në Shqipëri, në futbollin profesionist. Sipas saj, këto ndeshje mund të jenë manipuluar për qëllime përfitimi financiar dhe gjithçka ka ndodhur gjatë 30 muajve të fundit. Shqipëria renditet e para në listën e zezë me 97 ndeshje. Pas saj vjen vendi fqinj, Italia, me 70 ndeshje të dyshuara si të manipuluara, ku 20 prej tyre janë të Serisë A, 36 të serisë B dhe 14 në Lega Pro. Në vendin e tretë është Moldavia, me 66 ndeshje të dyshuara, më pas Estonia me 46 ndeshje, Greqia me 45 ndeshje, Rusia 42 ndeshje, Maqedonia 37 ndeshje, Bullgaria 35 ndeshje, Letonia dhe Estonia me 31 ndeshje. Sipas "Sportradar”, vendi me futbollin më të pastër në Europë konsiderohet Belgjika, me vetëm një ndeshje të dyshuar, që i paraprin Holandës dhe Francës me vetëm dy ndeshje të dyshuara. Në total janë monitoruar 143 472 ndeshje në Europë, ku përfshihen 596 kampionate dhe turne të ndryshme. Nga rezultatet e deritanishme, sipas "Sportradar”, 798 ndeshje dyshohen si të trukuara, ose e thënë ndryshe 0.56 % e ndeshjeve në Europë janë të manipuluara. Deri tani, UEFA ka dërguar disa herë raporte në Shqipëri për ndeshje të dyshuara se kanë qenë të paracaktuara, por as federata dhe as shteti shqiptar nuk kanë ndërmarrë ndonjë nismë, edhe pse ligji ekziston. Nuk ka pasur asnjë të dënuar apo të ndëshkuar nga organet e drejtësisë për manipulim të rezultateve, edhe pse mediat dhe opinioni sportiv kanë denoncuar me zë të lartë shumë raste të dyshimta. Në të gjitha rastet ka munguar një hetim i mirëfilltë dhe me rezultate të besueshme.

Raporti/ Asnjë reagim nga FSHF-ja
Federata Shqiptare e Futbollit ka preferuar të heshtë dje. Gazeta "Panorama Sport” u përpoq të kontaktonte me ndonjë nga drejtuesit për të mësuar nëse ka pasur sinjalizime së fundmi, apo nëse janë në dijeni të faktit se në futbollin tonë dyshohen 97 ndeshje të manipuluara, por askush nuk preferoi të përgjigjej. Në vendin tonë, siç dihet, është miratuar edhe ligji kundër trukimeve, në të cilin thuhet: "Paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 2 vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë lekë deri në tre milionë lekë”. Kështu thuhet në ligjin kundër trukimeve, i cili u miratua në Parlament para tri viteve, pas iniciativës për një futboll "me këmbë të pastra”.

Renditja
Nr. Vendi ND
1. Shqipëria 97
2. Italia 70
3. Moldavia 66
4. Estonia 46
5. Greqia 45
6. Rusia 42
7. Maqedonia 37
8. Bullgaria 35
9. Letonia 31
10. Estonia 31

Kush është "Sportradar”
"Sportradar” ka si qëllim primar dhe objekt për të cilin është krijuar hulumtimin dhe analizat e të gjitha kampionateve në Europë, duke u bazuar më së shumti te problematika të tilla, si shitja apo trukimi i ndeshjeve. "Sportradar” ofron të dhëna të sakta dhe të kompletuara mbi një seri ndeshjesh, duke mbledhur informacione dhe duke i vënë këto të fundit në shërbim të federatave të ndryshme. Kompania analizon nëpërmjet "Betradar” dhe "Scoreradar” një seri ndeshjesh, duke u nisur më së pari nga mënyra sesi kuotohet dhe sesi vendosen baste për takime nga më të ndryshmet (jo vetëm në futboll, por edhe në shumë sporte të tjera). Ndërkohë, "Sportradar” ka një marrëveshje me UEFA-n dhe Federatën Gjermane të Futbollit, të cilat i ka furnizuar me shumë dosje, mbi takime të konsideruara si të trukuara. Themeluesi i kësaj kompanie është Karsten Koerl, ndërkohë që deri tani "Scoreradar” numëron më shumë se 400 klientë dhe mbi 30 kompani të fuqishme të lotarive sportive në 60 vende të ndryshme të botës, në pesë kontinente. Selia qendrore e kompanisë është në St.Gallen në Zvicër, por ajo ka edhe zyra përfaqësimi në Trondeim, Oslo, Stokholm, Londër, Paris, Mynih, Bremen, Linz, Vjenë, Zlin, Lubjanë, Talin, Moskë, Durban dhe Hong Kong. Për këtë kompani punojnë më shumë sesa 500 persona, dhe mbi 70 kanale televizive në botë gjejnë referim dhe besueshmëri pikërisht te analizat dhe hulumtimet e "Sportradar”.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus