Kyresore » 2012 » Qershor » 2 » Italia, e gatshme të tërhiqet
1:15 AM
Italia, e gatshme të tërhiqet
Selektori i Italisë, Cesare Prandelli, ka thënë se skuadra e tij është e gatshme të tërhiqet nga Euro 2012, nëse i kërkohet një gjë e tillë. Kjo si rezultat i skandalit më të ri për kurdisje të ndeshjeve, ku të përfshirë dyshohet se janë edhe disa reprezentues të Azzurrëve. Selektori i Italisë, Cesare Prandelli, ka njoftuar se skuadra e tij është e gatshme të tërhiqet nga Euro 2012, nëse një gjë e tillë është e nevojshme. Futbolli italian përsëri është në telashe pas hetimeve të fundit për kurdisje të ndeshjeve. "Nëse ata na thonë se është më mirë për futbollin që Italia të mos shkojë në Kampionatin Evropian, atëherë nuk do të ketë asnjë problem. Ka shumë gjëra që unë mendoj se janë më të rëndësishme”, tha Prandelli për Rai Sport. Ai tha se do të dëshironte që më shumë të fliste për futbollin, por pranoi se në këto momente është e pamundur një gjë e tillë. "Unë nuk i dua kryqëzatat, dëshiroj që gjërat t’i sqaroj kokë me kokë dhe nuk marr asnjë vendim pa i menduar edhe pasojat. Do të dëshiroja të flisja vetëm rreth futbollit, por në këtë moment një gjë e tillë është e pamundur”, vazhdoi selektori italian. 

Prandelli po ashtu tha se lojtarët, të cilët janë të përfshirë në hetime, nuk do të jenë pjesë e Italisë në Euro 2012. Mbrojtësi i Zenit St Petersburg, Domenico Crisito ishte përjashtuar nga skuadra kombëtare, pasi policia kishte bastisur dhomën e tij në Coverciano të hënën. Crisito ka kritikuar vedimin për përjashtimin e tij nga përfaqësuesja, pasi ai ka marrë njoftimin zyrtar që është nën hetime.

"Nuk kam bërë asgjë keq në jetën time. Nuk dua të jem peng i situatës që nuk ka të bëjë asgjë me mua. Ndoshta Federata italiane e Futbollit duhet të lexojë aktakuzën dhe të verifikojë se nuk jam pjesë e këtij skandali. Jam shokuar nga ajo që ndodhi, por isha i gatshëm të shkoj në Evropian. Prokurorët u kanë thënë avokatëve të mi se nuk do të merrem në pyetje në të ardhmen e afërt. Më është thënë se nuk do të paraqesë problem nëse ftohem për Euro”, deklaroi Criscito për Gazzetta dello Sport.

Emri i mbrojtësit Leonardo Bonucci ishte përmendur në dokumentet e prokurorit, por ai është përfshirë në skuadër, pasi nuk ka marrë ftesë për deklaratë. Italia u trondit përsëri, kur qarkulluan zërat se edhe portieri Gianluigi Buffon mund të merret në pyetje për disa çështje private. Kjo, sipas Prandellit, mund të ketë ndikim edhe te një futbollist me përvojë si Buffon.

"Buffon është një djalosh i fortë dhe ka një personalitet të madh. Pavarësisht kësaj, gjërat që po ndodhin tani mund të kenë ndikim edhe te një person si ai”, tha në fund Prandelli. Italia, për shkak të këtyre problemeve, të martën kishte anuluar ndeshjen miqësore kundër Luksemburgut.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus