Kyresore » 2012 » Dhjetor » 6 » Man.City, "dëm" 1 miliard $
4:29 PM
Man.City, "dëm" 1 miliard $
Manchester City është bërë një shënjestër e lehtë e medias angleze pas dështimit të turpshëm në Champions League. Të gjithë në kor kanë shfryrë vrer ndaj trajnerit Roberto Mançini dhe futbollistëve të tij, të cilët jo vetëm që nuk janë kualifikuar, por në 6 takime kanë grumbulluar vetëm 3 pikë, rekordi më negativ i një klubi anglez në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë. Ndaj, nisur nga kjo statistikë, Siti ka njollosur historinë e klubeve angleze në Champions, sepse kurrë më parë nuk kishte ndodhur që një skuadër e ishullit ta mbyllte fazën e grupeve pa fituar minimalisht një ndeshje, e cila i kushton xhepave të sheikut Mansour një mal me para.
Dihet tashmë që sheikët nuk është se e vrasin mendjen për parà, sepse të tilla kanë me thasë dhe mbase në këtë periudhë krize janë të vetmit që mund të shpenzojnë. Por edhe një miliarder, kur e sheh që në tri vitet e fundit ka shpenzuar 1 miliard dollarë dhe në dy edicione të Champions League nuk arrin të kalojë as fazën e grupeve, atëherë kjo shifër fillon seriozisht të peshojë dhe shumë shpejt dikush duhet të paguajë për të.

Nëse mendojmë se Manchester City, një skuadër me yje milionerë si David Silva, Sergio Aguero, Yaya Toure, Carlos Tevez, Mario Balotelli, Edin Dzeko e shumë emra të tjerë, që përfitojnë nga 5-12 milionë euro në sezon secili, atëherë fatura e dy edicioneve të fundit në Champions i ka kaluar 700 milionë eurot, e thënë ndryshe, afro 1 miliard dollarë.

Por, tragjik është fakti që edhe pse i jepet lamtumira Champions League, kampionët në fuqi të Anglisë nuk luftojnë as për të vazhduar aventurën europiane në Europa League, një kompeticion që me talentet e Mançinit mund të jetë një objektiv më se i arritshëm dhe për më shumë, forcat për ta fituar nuk mungojnë.

Siç duket, paratë nuk blejnë stimujt, por kjo nuk do të thotë se diçka e tillë do të tolerohet ende në sezonin e ardhshëm.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus