Kyresore » 2012 » Qershor » 23 » Portugezët mendojnë se mund të maten me cilëndo kombëtare
1:25 PM
Portugezët mendojnë se mund të maten me cilëndo kombëtare
Portugalia tejkaloi sfidën me Çekinë, e cila aplikoi taktikë ultra-defensive dhe tash seleksionuesi Paulo Bento insiston se nuk i intereson kush do të jetë kundërshtari i portugezëve në gjysmëfinale të "Euro 2012". Cristiano Ronaldo pati një paraqitje fantastike ndaj Çekisë, duke qëlluar dy herë shtyllën, dhe shënoi golin e vetëm që i mundësoi Portugalisë kualifikimin në gjysmëfinale. 
Kundërshtari i Portugalisë në gjysmëfinale, që zhvillohet më 27 qershor, do të jetë fituesi i duelit çerekfinal ndërmjet Spanjës dhe Francës, që luhet sonte në Donetsk, transmeton Koha Ditore shkrimin e agjencisë së lajmeve AFP.

Spanja është kampione në fuqi e Evropës, kurse para dy vjetësh triumfoi edhe në Kampionatin Botëror. Spanja mbetet skuadra numër një në botë.

Ndërkohë, Franca për herë të parë pas botërorit "Gjermania 2006", ka kaluar me sukses fazën grupore në një turne të madh. Në Gjermani shkoi deri në finale, ku u mposht nga Italia pas penalltive.

"Në gjysmëfinale të Evropianit gjithmonë kualifikohen ekipet e mëdha me lojtarë shumë cilësorë", tha Bento 45-vjeçar, i cili si lojtar ka një përvojë të hidhur në Evropian. Ai në "Euro 2000" qe suspenduar për gjashtë muaj për shkak se ia pati larguar arbitrit nga dora kartonin e kuq në ndeshjen gjysmëfinale mes Portugalisë dhe Francës.

"Ekipet janë shumë të organizuara dhe për këtë arsye nuk kam preferencë për kundërshtarin e mundshëm në gjysmëfinale. Me rëndësi është se ne jemi kualifikuar dhe me qetësi presim të shohim se kush do të jetë kundërshtari ynë", tha Bento.

Kjo mund të mos jetë gjenerata e artë e talenteve të Portugalisë, që pati fituar dy herë Kampionatin botëror të juniorëve në vitin 1989 dhe 1991. E njëjta gjeneratë pati arritur deri në gjysmëfinale të "Euro 2000" për të vazhduar në finale të "Euro 2004" dhe pastaj në gjysmëfinale të botërorit "Gjermania 2006".

Mirëpo, Bento është shumë i bindur se ekipi i tij aktual mund të matet me secilën skuadër në "Euro 2012".

"Asnjëherë nuk jam brengosur për këta futbollistë, sepse kanë cilësi të jashtëzakonshme dhe kanë punuar shumë për të arritur këtu", shtoi Bento. "Jam shumë i bindur në këtë ekip se do ta dëshmojë veten dhe do ta jap përgjigjen e duhur në ndeshjen gjysmëfinale".

Edhe pse Spanja pa dyshim mbetet ekipi më i mirë në Evropian, tregimi i Bentos bazohet në historinë e hidhur të Portugalisë nëpër gjysmëfinale të turneve të mëdhenj.

Në Evropianin e vitit 1984 dhe 2000, Portugalia u pat eliminuar në gjysmëfinale nga Franca. Ndërkohë, humbja e vetme e Portugalisë nga Spanja në një turne të madh daton para dy vjetësh kur u mposht në 1/8 e finales.

Portugalia asnjëherë nuk ka mposhtur Francën dhe Spanjën në një ndeshje të rëndësishme. Për ta arritur një gjë të tillë, Portugalia duhet të luajë sikur ndaj Çekisë që e mposhti në çerekfinale.

"Duhet të jemi maksimalisht të përgatitur. Nëse luajmë sikur në ndeshjen e fundit, atëherë është e mundur ta përsëritim suksesin e vitit 2004 kur arritëm deri në finale të Evropianit", u shpreh Bento.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus