Kyresore » 2012 » Tetor » 19 » PSZH, 100 milion për Riberi, Vidal dhe Kaka
11:45 AM
PSZH, 100 milion për Riberi, Vidal dhe Kaka
Paris Sent Zhërmen nuk heq dorë nga blerjet e bujshme dhe për momentin po mendon si të shtojë cilësinë e skuadrës që ka në dispozicion trajneri Karlo Ançeloti. Drejtuesit e skuadrës franceze mendojnë për merkaton duke afruar jo vetëm emra lojtarësh cilësorë, por mundësisht disa prej atyre që mund të tërheqin më shumë publikun dhe të rritin të ardhurat nga marketingu."Sky” në Gjermani ka raportuar se gjatë ditës së djeshme është mbajtur një mbledhje e gjatë mes drejtorit të ekipit, Leonardo, dhe trajnerit Ançeloti, ku janë diskutuar pikërisht emrat e mundshëm që do të përputhnin objektivat sportivë me ata të rritjes së imazhit dhe është mbërritur në përfundimin se duhen shpenzuar të paktën edhe 100 milion euro të tjera për të siguruar lojtarë cilësorë.

Emri i parë në listë është ai i Frank Riberi, francezit që aktualisht luan te Bajern Mynih. 29 vjeçari ka një kontratë deri në vitin 2015 por një kthim në Francë nuk do të refuzohej, sidomos nëse bëhet fjalë për të dyfishuar rrogën aktuale.

Emri i dytë është i 25 vjeçarit Arturo Vidal, që aktualisht cilësohet një prej mesfushorëve më të mirë në qarkullim. Çmimi i këtij të fundit është rreth 40 milionë euro, por kjo nuk përbën një pengesë për parisienët, të cilët do të provojnë që në janar të marrin futbollistin i cili ka një kontratë deri në vitin 2016 me klubin e Juventus.

I treti, por ndoshta më i rëndësishmi përsa i përket imazhit dhe marketingut, është Rikardo Kaka. Braziliani luan "me pikatore” te Real Madrid, por francezët janë gati t’i japin një rol protagonisti në skuadrën e tyre. 30 vjeçari mund të pranojë falë lidhjes miqësore me Leonardon e Ançelotin, por mbetet të mësohet reagimi i Real Madrid, që ka parë se si futbollisti ka pësuar një rritje gjatë javëve të fundit dhe mund të ndryshojë mendje rreth aktivizimit të tij.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus