Kyresore » 2012 » Tetor » 14 » Rusët ngrenë në qiell Capellon pas fitores me Portugalinë
12:29 PM
Rusët ngrenë në qiell Capellon pas fitores me Portugalinë
Trajneri i Rusisë, Fabio Capello, është vlerësuar si hero nga mediumet lokale, pasi që skuadra ka marrë veten nën direktivat e italianit pas dështimit në "Euro 2012". "Russian Catenaccio!" ka shkruar në ballinën e gazetës lidere sportive ruse "Sport-Express", duke aluduar në sistemin taktik me një mbrojtje të fortë që tradicionalisht është i njohur për futbollin italian. Rusia mposhti favoritin e Grupit F, Portugalinë me rezultatin 1:0 të premten, duke vazhduar startin perfekt në kampanjën eliminatore për Botërorin 2014 në Brazil. Me Capellon Rusia ka fituar tri ndeshjet e zhvilluara deri më tash dhe nuk ka pësuar asnjë gol. "Një start i ëndrrave! Tri fitore në fillim të ciklit eliminator - kur kemi shijuar një start të tillë? Vetëm një herë - në eliminatoret për Botërorin 1994. Skuadra jonë ka luajtur një lojë mjaft të fortë me mbrojtje të fortë. Ishte në gjendje të neutralizonte Cristiano Ronaldon dhe sërish të mbajë portën e pastër. Duket tash se lojërat ofensive që luheshin nën drejtimin e holandezëve Guus Hiddink dhe Dick Advocaat janë pjesë e së kaluarës. Tash kemi një epokë të re - Fabio Capellon dhe stilin italian të lojës", ka shkruar gazeta ruse "Sport-Express". 

Gazeta tjetër sportive ruse "Sovietsky Sport", ka thënë se fitorja e Rusisë ishte një hakmarrje e ëmbël për disfatën 7:1 që Portugalia ia kishte shkaktuar në eliminatoret për Botërorin 2006, tetë vite më parë në Lisbonë.

"Ne iu hakmorëm për humbjen 7:1 - humbjen më turpëruese në historinë e futbollit tonë", ka shkruar gazeta.

Rusët kanë shfrytëzuar përparësinë e fushës artificiale në stadiumin e Moskës, fushë në të cilin nuk dukeshin shumë komodë lojtarët portugezë. Alexander Kerzhakov (6') shënoi golin e vetëm të ndeshjes.

Pasi kaluan në epërsi, rusët u mbyllën në mbrojtje dhe i lanë shumë pak hapësirë Portugalisë dhe liderit Ronaldo.

"Ne e kemi ditur se duhet të ndalim Ronaldon nëse duam të kemi gjasa për të fituar. Ne jemi munduar të qëndrojmë sa më afër tij, shpesh duke i vendosur dy mbrojtës para tij. Mendoj se funksionoi mjaft mirë për ne", ka thënë Capello.

Capello zëvendësoi Advocaatin pas "Euro 2012", ku rusët u eliminuan në fazën grupore.

Portugezët për humbjen e pësuar pjesërisht e kanë fajësuar fushën e rrëshqitshme.

"Është e vështirë të luash në fushë të tillë. Është e qartë se rusët ishin shumë më të adaptuar në këtë fushë se ne", ka thënë mesfushori portugez i Manchester Unitedit, Luis Nani.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus