Kyresore » 2012 » Prill » 16 » Skandali i trukimeve, 75 ndeshje të Serisë A dhe B nën hetim
6:33 PM
Skandali i trukimeve, 75 ndeshje të Serisë A dhe B nën hetim
Vazhdojnë hetimet për skandalin e basteve ilegale dhe trukimet e ndeshjeve në kampionatet italiane të futbollit. Rrezikojnë Bolonja, Leçe, Siena dhe KievoNë qershor dikush thoshte: janë thjesht katër të humbur. Njëmbëdhjetë muaj më pas situata është drithëruese. Midis Serisë A dhe B janë 42 skuadra, por numërohen me gishtat e dorës ato që nuk janë përmendur asnjëherë në hetimin e Kremonës, Barit dhe Napolit. Më pas janë klubet e përfshira në mënyrë indirekte, për ndeshje në të cilat nuk kanë pasur asnjë rol (ose nuk janë gjetur prova).Dyshimet, dhe ndonjëherë diçka më shumë, bien mbi 11 klube të Serisë A dhe 17 të Serisë B. Ndeshjet që dyshohen për trukim janë të paktën 75 (50 vetëm në dëshminë e fundit të Xhervazonit). Të federuarit e përfshirë – midis të arrestuarve, të hetuarve, të dyshuarve për mashtrime sportive dhe për mosdenoncim – janë bërë shumë, janë më shumë se njëqind. Le të shohim më poshtë nivelin e përfshirjes së skuadrave të ndryshme.

SERIA A

ATALANTA Ka paguar në këtë sezon duke e nisur kampionatin me -6 pikë për fajet e Donit (Atalanta-Piaçenca 3-0), por kapiteni ka konfirmuar se lëvizje të çuditshme ka pasur edhe para takimit Askoli-Atalanta 1-1, ndërsa hetuesit po kërkojnë prova për përfshirjen e drejtuesve, mbi të gjitha për barazimin 1-1 me Padovën. Zikaltrit kanë humbur edhe Mazielon (i përfshirë kur luante te Bari) dhe tani rrezikon Polito (i përmendur për Livorno-Groseto).

BOLONJA Shumë humbje në sezonin e kaluar, pasi është siguruar qëndrimi në Serinë A, konsiderohen të dyshimta. Por, deri tani, ka elementë vetëm për Bolonja-Bari 0-4 (Iakoveli ka thënës se është informuar nga Mazielo se takimi është trukuar me kontributin e Portanovës). Mazielo ka përfshirë edhe Di Vaion.

KALJARI I kërkuari Ilievski në një intervistë të dhënë për një gazetë italiane ka përfshirë Kaljarin midis klubeve që trukonin ndeshjet, por deri më sot nuk ka asnjë ndeshje ku sardët të jenë të dyshuar.

ÇEZENA Ndeshja më e përfolur është Çezena-Bari 1-0, por pa asnjë rol për lojtarët dhe drejtuesit. Edhe Çezena-Gubio e Kupës së Italisë është hetuar për shkak të denoncimit të Farinas ("Zamperini më ka ofruar 200 mijë euro për të siguruar shënimin e tre ose më shumë golave”). Marko Rosi është nën hetim për të kaluarën e tij te Bari.

KIEVO Ia ka hedhur me një gjobë në proçesin e parë sportiv për federimin e çuditshëm të Betarinit, por tani po hetohet Pelisier, para prokurorit të federatës është paraqitur edhe Luçiano, po verifikohet roli i vëllezërve Kosato, dy ish. Dyshimet janë shtuar, deri tani pa prova, për Breshia-Kievo 0-3, Inter-Kievo 4-3, Bari-Kievo 1-2 dhe Napoli-Kievo 3-0.

XHENOA Shqetësimet më të mëdha janë për Lacio-Xhenoa 4-2, ku i dyshuari kryesor është Milaneto për kuqeblutë. E ka thënë Xhervazoni, që ka marrë lajme të sigurta nga Ciganët. Sipas informacioneve që zotëron policia, Milaneto dhe Daineli janë takuar me sllavët pas ndeshjes në një hotel të Milanos. Nën hetim edhe Bari-Xhenoa 3-0.

INTER Në verë ka pasur dyshime për Inter-Kievo 4-3 të 2011-ës. Por asnjë provë. Ashtu si për Inter-Leçe: faji bie mbi Paolonin.

LACIO Dy ndeshje, por që peshojnë shumë: Lacio-Xhenoa 4-2 e 15 majit dhe Leçe-Lacio 2-4 e 22 majit 2011 me regjinë e sllavëve dhe të Zamperinit dhe përfshirjen e Maurit, që duket se ka edhe një fotografi me Ilievskin. "Kujtoj se kam mësuar nga portieri Kasano se bastet e lojtarëve të Lacios janë bërë te një shok i Zamperinit që kishte një pikë bastesh”, ka thënë Xhervazoni.
LEÇE Përveç Breshia-Leçe 2-2 dhe Lacio-Leçe 2-4 (me përfshirjen e Benasit, Rozatit, Ferrarios dhe të tjerëve), kanë qenë tronditëse deklaratat e Mazielos, që ka pranuar se ka shënuar me dashje një autogol në Bari-Leçe. Duke shtuar se ka marrë 230 mijë euro në dorë nga një njeri afër familjes Semeraro, pronarë të klubit. Akoma i paqartë roli i Korvias. Në 2008-ën duket se ka paguar Askolin për të mundur Albinolefen, kundërshtare në luftën për kalimin në Serinë A (Xhervazoni ka thënë se është informuar për këtë nga Paoloni).

MILAN Për Milan-Bari 1-1 është folur në një telefonatë të përgjuar nga Prokuroria e Barit, por nuk ka asnjë provë.

NAPOLI Prokuroria e Napolit heton prej muajsh. Personi më i përfshirë është ish-portieri i "axurrëve” Xhianelo, i hetuar. Dyshime për Napoli-Parma 2-3 të 2009-ës, ndeshje gjatë së cilës është fotografuar mbrapa portës, në "San Paolo”, djali i bosit të mafias Antonio Lo Ruso.

NOVARA Hijet e dyshimit janë shtuar rreth sulmuesi Bertano, tani te Sampdoria, që sipas Xhervazonit ka qenë në kontakt me Ciganët për Kievo-Novara 3-0 në Kupën e Italisë (që duket se është trukuar me ndihmën e Fontanës, Shalës dhe Ventolës) dhe më pas është bërë një bashkëpunëtor i besueshëm deri në atë pikë se ka pasur edhe një celular që e përdorte vetëm për trukimin e ndeshjeve. Në shënjestër edhe Novara-Askoli 1-0 (i përfshirë Gacola) dhe Novara-Siena 2-2 (të përfshirë Vitielo dhe Drasçek nga Karobio).

PALERMO Nuk ka faj në trukimin që nuk është realizuar me Barin (2-1, penallti e gabuar nga Mikoli që nuk ishte në dijeni).

ROMA Bari-Roma 2-3 është përmendur vetëm një ditë nga Iakoveli.

PARMA Dyshime edhe për ndeshjen Parma-Bari 1-2; në fund të takimit Morrone ka sulmuar Marko Rosin duke i bërtitur: "Bastard, nuk ishte kjo marrëveshja”.

SIENA Tre rreshta në dosjen e prokurorisë që mund të kenë pasoja të mëdha. Xhervazoni ka thënë: "Gegiç më ka informuar se një mik i tij nga Kazakistani i ka thënë se presidenti i Sienës i ka dhënë para lojtarëve të Modenës, Tamburini dhe Perna, për të fituar takimin Modena-Siena të mbyllur 0-1”.

Nuk ka akoma prova, por ndërkohë presidenti Mexaroma është presidenti i parë i Serisë A që është akuzuar në mënyrë direkte. Karobio dhe Xhervazoni kanë folur edhe për ndeshje të tjera: Albinolefe-Siena 1-0, Siena-Askoli 3-0, Siena-Piaçenca 2-3, Siena-Torino 2-2, Siena-Vareze 5-0 dhe Novara-Siena 2-2. Është përmendur edhe Stelini, bashkëpunëtor i Kontes.

UDINEZE Për Kievo-Udineze 0-2 Xhervazoni ka thënë se ka mësuar nga vëllezërit Kosato se ndeshja ishte manipuluar. Për Udineze-Bari 3-3 ka folur Mazielo, duke përmendur edhe Bonuçin me Pepen, që duket se kanë ditur për trukimin.

SERIA B

Skuadrat më të përfolura janë Albinolefe, Askoli, Bari dhe Groseto. Albinolefe, ish-skuadra e Xhervazonit dhe Karobios, është përmendur në hetim për plot 15 ndeshje. Dhe dy të "pabesët” kanë përmendur emrat e rreth dhjetë lojtarëve, ish-shokë skuadre. Për pjesën më të madhe të ndeshjeve klubi nuk ka qenë në dijeni, por dyshohet se drejtuesit janë të përfshirë direkt në Albinolefe-Piaçenca 3-3 dhe në Rexhina-Albinolefe 3-1 të 2010-ës.

Askoli, i penalizuar në proçesin e parë sportiv për përfshirjen e Somezes dhe Mikoluçit, është i përfshirë në të paktën 8 takime. Ish-lojtarët e Barit duket se kanë trukuar të paktën 5 takime: janë Andrea Mazielo, Bentivolio, Parizi, Belmonte dhe Marko Rosi. Karobio dhe Xhervazoni kanë përmendur në 8 ndeshjet e trukuara të Grosetos Açerbis, Xhob, Xhoelson, Konten dhe Turatin.

Padova rrezikon pas deklaratave të të hetuarve në ndeshjet me Atalantën ("e trukuar nga klubi”), me Albinolefen të 2010-ës ("fitore e paguar nga Padova”) dhe për Mantova-Modena ("Modena ka marrë paratë nga Padova për të mos humbur”). Sampdoria, me Gubertin, është përfshirë në valle për fitoren në Bari, Torino për barazimin 2-2 në Siena (i përfshirë Pelikori).

Janë përmendur edhe ndeshje të Breshias, Krotones, Empolit, Livornos, Modenës, Peskarës, Rexhinës, Sasuolos dhe Varezes, por nuk ka asnjë provë. Një kapitull më vete e meriton Verona për deklaratat e bëra kohët e fundit nga Xhervazoni për Verona-Piaçenca 1-0 të 2006-ës ("Kemi mbledhur rreth 70 mijë euro” për të fituar ku kanë marrë pjesë "Komaci, Biazi dhe Italiano” (…) "Shuma i është dhënë Moskardit, Marigrotës dhe Olivit”) dhe Verona-Bari 4-2 të 2007-ës ("Në fund të ndeshjes kam mësuar nga Belavista, Storuvo dhe Marko Espozito se kishin rënë dakort me Sibilanon nëpërmjet drejtorit sportiv Kanela”.



Skandali i basteve

Seria A, 11 klube rrezikojnë penalizimin

Do të jetë përsëri një verë e nxehtë për futbollin italian. Hetimet për skandalin e basteve, në fakt, vazhdojnë dhe janë gjithnjë dhe më të shumtë klubet që duket se janë të përfshirë. Të paktën 11 klube të Serisë A që rrezikojnë penalizime. Diferenca, si gjithmonë, është në nivelin e përgjegjësive direkte ose indirekte që do të bjerë mbi klubet, përfshirja e të cilëve duhet të konfirmohet.

Flitet për përgjegjësi direkte, të supozuar dhe indirekte. Rasti i parë është natyrisht më i rëndë, sepse parashikon përfshirjen direkte të një drejtuesi të klubit. I dyti parashikon një shkelje në favor të klubit, por për të cilin drejtuesit nuk ishin në dijeni, ndërsa përgjegjësia indirekte është rasti kur klubet kërkojnë një ndryshim të penalizimeve, duke parë se klubet penalizohen në rastin kur një pjesëtar i tyre bën një shkelje ose tenton të bëjë një shkelje pavarësisht nga fakti nëse ka qenë në favor ose jo të klubit.

Në situatën e tanishme, klubi i Serisë A që duket se rrezikon më shumë është Leçe, për të cilin hipotizohet një përgjegjësi e supozuar që mund të kthehet edhe në direkte. Për klubin salentin mund të hipotizohet një penalizim me 6 pikë deri në kalimin në vend të fundit. Atalanta, Bolonja, Kievo, Xhenoa, Lacio, Napoli, Novara, Parma, Siena dhe Udineze janë klubet e tjerë të Serisë A, që rrezikojnë penalizime për përgjegjësi indirekte, duke parë se, të paktën për momentin, në bazë të hetimeve kanë nën hetim disa të pjesëtarë të klubeve respektive, të cilët janë akoma nën hetim dhe përgjegjësitë e të cilëve nuk janë konfirmuar akoma.



Sipas Mazielos

Bari-Leçe, mes të hetuarve është edhe Vives

Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë emra të rinj dalin. Skandali i futbollit të basteve përfshin shumë futbollistë, i fundit nga të cilët është Xhiuzepe Vives, mesfushori i Torinos dhe i Leçes nga 2006-ta deri në 2011-ën. Vives përfundoi në shënjestër të të hetuarve të Prokurorisë së Barit, pasi Mazieloja, ka nxjerrë emrin e tij sa i takon ndeshjes së trukuar tashmë Bari-Leçe e 2011-ës, takim në të cilin lojtari i Torinos qenka i përfshirë.

Mazielo u paska treguar gjykatësve, se për të pasur sigurinë e trukimit të Bari-Leçe, duhej të priste një sinjal në fushë nga na e një lojtari të Leçes, sinjal, sipas ish-mbrojtësit të Barit, paska ardhur nga Vives, që para nisjes së lojës i paska thënë: "Në fund këmbejmë fanellat”, – tregon Mazielo. Vives është htuar, por ka mohuar gjithçka dhe në këtë pikë është regjistruar mes të hetuarve.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus