Kyresore » 2012 » Mars » 25 » Statistika, askush si Messi
2:32 AM
Statistika, askush si Messi
Është vetëm 24 vjeç, por arritjet e tij i kanë kaluar të gjitha parashikimet. Ylli argjentinas Lionel Messi po thyen çdo rekord të mundshëm, si për arritjet me klubin, ashtu edhe në aspektin individual. Yje dhe legjenda të futbollit botëror kanë shpenzuar një karrierë të tërë për të vendosur rekorde, por "Pleshtit” i kanë mjaftuar 6 vjet për t’i kaluar. Shifra dhe statistika të jashtëzakonshme.
Askush nuk mund të krahasohet me të për momentin ...
3 – Messi ka realizuar tri tripleta në Ligën e Kampioneve, duke barazuar rekordin e mbajtur nga Filippo Inzaghi. Vetëm tre futbollistë të tjerë të Barcelonës (Rivaldo, Ronaldinho dhe Samuel Eto) kanë arritur që të shënojnë tripletë në kompeticionin evropian. Argjentinasi është gjithashtu i vetmi lojtar në histori që ka realizuar dy tripleta në Champions brenda një sezoni. 

3 - "Pleshti” fitoi për herë të tretë "Topin e Artë” në fillim të vitit, duke barazuar rekordin e "tri herë fituesve” që mbahet nga Michel Platini, Yohan Cruyff dhe Marco Van Basten.

4 – Messi ka arritur të shpallet golashënuesi më i mirë i edicionit të Ligës së Kampioneve në tri raste (tri vitet e fundit) dhe është duke kryesuar ndjeshëm, duke qenë shumë pranë fitimit për herë të katërt të "Këpucës së Artë” evropiane. Nëse ia del mbanë, ai do të barazojë rekordin e Gerd Muller.

5 – Argjentinasi është futbollisti i parë në Ligën e Kampioneve që ka arritur të shënojë pesë gola në një ndeshje të vetme (ndaj Leverkusenit disa javë më parë), i pari në kompeticionet evropiane që nga viti 1979, kur e realizoi Soren Lerbi i Ajax dhe i pari për Barcelonën pas 47 vitesh, nga koha kur e realizoi Zaldua.

6 – Sulmuesi i lindur në Rosario ka gjetur rrugën e rrjetës në gjashtë kompeticione të ndryshme gjatë këtij sezoni: kampionatin spanjoll, Kupën e Mbretit, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës, Botërorin e Klubeve dhe Ligën e Kampioneve, duke barazuar rekordin e vendosur nga Pedro në vitin 2009.

10 – Është i vetmi futbollist i dekadës së fundit që është vlerësuar me notën 10 për paraqitjen e bërë në Ligën e Kampioneve, dhe kjo ka ndodhur në ndeshjen kundër Leverkusenit, kur shënoi pesë herë.

12 – Lioneli ka shënuar 12 gola deri tani në Evropë, duke barazuar rekordin personal të vendosur në sezonin 2010-2011 dhe gjithashtu rekordin e Van Nistelrooy të sezonit 2002-2003, që është edhe golashënuesi më i mirë i Champions-it brenda një edicioni. Argjentinasi ka të paktën dy ndeshje të tjera në dispozicion për të vendosur rekord të ri, si golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampioneve brenda një sezoni.

18 – Që kur ka debutuar me klubin katalanas në vitin 2005, ai ka arritur të fitojë plot 18 trofe. Argjentinasi ka realizuar gjithashtu 18 tripleta me ekipin spanjoll, duke shënuar "poker” në dy raste dhe pesë gola në një rast. Tetë prej tripletave i ka realizuar në sezonin 2011- 2012.

22 – Përfshirë tripletën e shënuar në ndeshjen ndaj Zvicrës, Messi ka kapur kuotën e 22 golave në 67 ndeshje me kombëtaren e Argjentinës. Maradona shënoi 34 herë në 91 takime.

24 – Lionel Messi është golashënuesi më i mirë në historinë e Champions- it për sa i përket raundit të 1/16-ve. Pikërisht në këtë fazë, ai ka shënuar plot 24 gola.

54 – Argjentinasi ka shënuar gjithsej 54 herë në Ligën e Kampioneve, duke lënë pas vetes Del Pieron (44), Inzaghin (46), Eusebion (47) dhe Shevchenkon (48). Ai barazoi Di Stefanon, ndërkohë që renditet pas Tierry Hanry (51), Rud Van Nistelrooy (54) dhe Raul (71).

54 – Messi ka vendosur një rekord të ri personal, duke shënuar 54 gola deri tani këtë sezon, ndërkohë që rekordi i tij i mëparshëm ishte 53. Argjentinasi ka edhe të paktën 13 ndeshje në dispozicion për të përmirësuar ndjeshëm këtë rezultat.

66 – 24-vjeçari ka shënuar 66 gola në 50 ndeshjet e fundit në shtëpi të Barcelonës.

94 – Argjentinasi ka dhënë 94 asiste për ekipin katalanas, 74 prej të cilëve në 4 sezonet e fundit dhe 21 vetëm këtë edicion. 192 – Që kur Pep Guardiola u bë trajner i Barçës, Messi ka shënuar 192 herë në 204 ndeshje zyrtare.

234 – "Pleshti” ka shënuar gjithsej 234 gola për Barcelonën, duke vendosur një rekord të ri dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit. Ai kaloi Cesar Rodriguez, i cili pat shënuar 232 herë, rekord që mbahej prej 60 vitesh.

369 - Messi ka edhe një objektiv për të arritur: të jetë i padiskutueshëm në historinë e klubit katalanas. Paulino Alkantara ka shënuar 369 gola me fanellën e Barçës, por rreth 200 prej tyre nuk janë shënuar në ndeshje zyrtare. Megjithatë, duke qenë se ylli argjentinas është vetëm 24 vjeç, i ka të gjitha shanset që ta kalojë edhe këtë rezultat.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus