Kyresore » 2012 » Korrik » 1 » Tifozët irlandezë shpërblehen për korrektësi
12:55 PM
Tifozët irlandezë shpërblehen për korrektësi
UEFA do t'i shpërblejë me një çmim special tifozët e Irlandës për sjelljet e tyre në Poloni, gjatë ndeshjeve të "Euro 2012". Këtë e ka bërë të ditur sekretari gjeneral i UEFA-s, Gianni Infantino. Tifozët e Irlandës patën pushtuar Poloninë në ndeshjet e fazës grupore. Ata krijonin atmosferë sportive dhe bënin anim korrekt, edhe pse Irlanda nuk i gëzoi me rezultate të mira. Ekipi i Giovanni Trapattonit, aventurën në "Euro 2012" e mbylli në fazën e grupeve, pa asnjë fitore dhe me goldallim 1:9. Irlanda përfundoi në pozitën e fundit të Grupit B që përbëhej edhe nga Spanja, Italia e Kroacia. 

"Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që tifozëve të Irlandës t'ua ndajë një çmim të veçantë. Të gjithë kanë mbetur të impresionuar me tifozët irlandezë që erdhën në Poloni. Ata patën sjellje shumë korrekte", tha Infantino. "Rezultatet e Irlandës mbetën në plan të dytë, falë tifozëve. Për këtë arsye Michel Platini personalisht do të shkojë në Irlandë për t'ua dorëzuar çmimin tifozëve".

Tifozët e Irlandës mbuluan me ngjyrat e tyre qytetin Gdansk, sidomos pas humbjes së thellë 4:0 nga Spanja. Ata gjatë tërë kohës brohoritën dhe kënduan sikur të ishin në epërsi. I impresionuar me sjelljen e tifozëve irlandezë ka mbetur edhe trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger që ka përcjellë nga afër Evropianin. Ai qe detyruar ta ndërpriste komentimin e ndeshjes për një televizion francez për shkak të këngëve të irlandezëve. Wenger u kishte thënë shikuesve se do të pushonte pak së komentuari, pasi ia vlen të dëgjohet përkrahja e tifozëve të Irlandës për ekipin e tyre.

"Në fund të ndeshjes, kur futbollistët e Spanjës iu gëzuan fitores, tifozët e Irlandës kënduan për pesë minuta pa ndërprerë. Nuk besoj se ka pasur ndonjë njeri në Poloni që nuk i ka adhuruar tifozët irlandezë, të cilët i dhanë shpirt çdo qyteti të Polonisë ku ishin të pranishëm", deklaroi Infantino.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus