Kyresore » 2014 » Janar » 9 » Zhdrella sërish më i miri i futbollit kosovar
11:52 AM
Zhdrella sërish më i miri i futbollit kosovar

Menor Zhdrella për herë të katërt është shpallur si futbollisti më i mirë i vitit në Kosovë. Ndonëse dihej edhe më parë, kjo u bë e ditur dje në manifestimin e shpalljes së laureatëve në futbollin kosovar, i cili u mbajt në hotelin "Emerald”.Trofeun futbollistit më të mirë ia dorëzuan së bashku, Fadil Vokrri, kryetar i FFK-së dhe Armando Duka, kryetar i FSHF-së, si dhe ministri i Sportit i Kosovës, Memli Krasniqi."Ndihem i nderuar për faktin se po e fitoj për herë të katërt epitetin e lojtarit më të mirë. Falënderoj trajnerët për vlerësimin e tyre. Gjithsesi, pa ndihmën e bashkëlojtarëve nuk kisha mundur të jem këtu ku jam sot, prandaj i falënderoj edhe ata”, tha futbollisti i Hysit, Mentor Zhdrella, pas marrjes së shpërblimit.

Ajo që shkaktoi befasi tek të pranishmit ishte fakti se në mesin e dhjetë futbollistëve më të mirë nuk kishte asnjë të FC Prishtina, e cila ishte kampione dhe fituese e Kupës së Kosovës, është shpallur si skuadra më e mirë e vitit, kurse trajneri i saj Afrim Tovërlani është trajneri i vitit 2013.

Pas Zhdrellës, në mesin e dhjetë më të mirëve u renditën: Semir Zeneli (Llamkos Kosova), Qëndrim Dautaj (Ferizaj), Xhevdet Shabani (Drita), Labinot Osmani (Llamkos Kosova), Arbër Prekazi (Llamkos Kosova), Dukagjin Gashi (Drenica), Astrit Fazliu (Ferizaj), Fidan Hasani (Drita) dhe Fatih Karahoda (Ferronikeli). Në mesin e mysafirëve të ftuar në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe ish-futbollisti i njohur francez, Alain Giresse, i cili është mysafir i FFK-së.

Derisa futbollistin më të mirë e kanë zgjedhur me votat e tyre trajnerët e 12 skuadrave të Superligës, të tjerët janë zgjedhur sipas Komisionit për zgjedhjen e më të mirëve në përbërje:

Agim Ademi, Predrag Joviç dhe Vjollca Krasniqi. Kjo treshe ka marrë sugjerimet nga Shoqata e Trajnerëve, Shoqata e Gjyqtarëve, Komisioni për Futsall dhe për futbollin e femrave. Punëtori i vitit 2013 u shpall Sahit Kelmendi, kurse punëtor sportiv nga diaspora u shpallën Hivzi Badallaj, Nehat Sabedini e Beni Simitciu. Klubi më i mirë i vitit 2013 është FC Prishtina e cila ishte kampione dhe fituese e Kupës.

Klubi më korrekt për vitin 2013 është Drenica e Skenderaj, arbitri më i mirë u shpall Genc Nuza, kurse sulmuesit të Llamkos Kosovës, Milot Rashicës i takoi epiteti i futbollistit më perspektiv. Futbollisti i njohur, Xherdan Shaqiri, u shpall futbollisti më i mirë i Kosovës në diasporë, ndërkohë që Astrit Fazliu me 13 gola të shënuar është shënuesi më i mirë në Superligë.

As te portierët nuk kishte dilema, kështu që epiteti i më të mirit i takoi portierit të Prishtinës, Kushtrim Mushica. Më të mirët e vitit u shpallën edhe në futsall. Kështu, klubi më i mirë është Feniksi i Drenasit, shënuesi më efikas Ramadan Alaj i Liburnit me 34 gola, kurse futbollisti më i mirë është Mentor Mejzini i Feniksit. Në futbollin e femrave nuk kishte dilema, Klubi më i mirë është Prishtina, futbollistja më e mirë Qëndresa Krasniqi e Prishtinës, kurse epiteti i shënueses më të mirë i takoi Suada Jasharit të Kosovës së Prishtinës e cila ka shënuar 21 gola.

Me mirënjohje nga FFK-ja, janë nderuar: "Raiffeisen Bank”, Alain Giresse, MKRS, "AIR Prishtina”, Policia e Kosovës, "Rinora 4”, Mexhit Syla dhe Ertan Xhihiq. U nderua edhe Shoqata e Gazetarëve Sportivë Profesionistë të Kosovës, si dhe post mortem Nexhmedin Statovci dhe Osman Kryeziu.

Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus